top of page

Atifete Jahjaga (2011    2016)

Atifete Jahjaga ishte zgjedhur Presidente e Republikës së Kosovës në prill të vitit 2011. Në fillimet e mandatit të saj, Atifete Jahjaga asnjëherë nuk kishte përmendur çështjen LGBTIQ+. Kah fundi i mandatit të saj, në qershor të vitit 2015, ajo kishte marrë pjesë në lansimin e programit “Angazhimi për Barazi” të USAID-it e ATRC-së, ku kishte falenderuar këto dy institucione për lansimin e këtij programi dhe në një kontekst të përmendjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi, e sigurimit të kushteve më të mira për grupet e margjinalizuara në Kosovë, kishte përmendur plot dy herë termin LGBT. “Dua të shpreh një falënderim të veçantë dhe të përgëzoj USAID-in dhe ATRC-në që sot lansojnë programin e tyre të përbashkët ”Angazhimi për Barazi”, i cili jam e bindur që me anë të çështjeve që ka ky projekt synon të trajtojë si fuqizimin ekonomik të gruas dhe pjesëmarrja e saj në tavolinat vendimarrëse, mbrojta e të drejtave të të gjitha komuniteteve të LGBT, fuqizimi i të rinjëve dhe i personave më aftësi të kufizuara, do të jap një kontribut të vyer për integrimin tonë të mëtutjeshëm.” dhe së dyti në po të njëjtin fjalim, kishte thënë se, “Paragjykimet vazhdojnë të mbeten kur flasin për komunitetin LGBT dhe të drejtat e tyre, ne jemi siguruar që me ligjet e vendit ju mbrojmë dhe ju garantojmë të drejtat e tyre të pamohueshme dhe do vazhdojmë të punojmë intensivisht që të mbrojmë dinjitetin e tyre.” Pak pas përfundimit të mandatit të saj si Presidente, ajo ishte bërë ndër figurat e para politike të rëndësisë së lartë në Kosovë, që i ishte bashkuar marshit për Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë dhe Transfobisë më 17 maj, të organizuar nga tri organizatat kryesore të çështjes LGBTIQ+ në atë kohë, CSGD, CEL e Qesh nën temën “Dashuria jonë është kushtetuese”. Krahas aktivistëve e aktivisteve dihe aleatëve e aleateve të çështjes LGBTIQ+ në Kosovë, në një lëvizje që ende po merrte hov, kishte marrë pjesë në këtë marsh bashkë me presidentin e atëhershëm Hashim Thaqi e figura të tjera figura të rëndësishme të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.  “Sot mora pjesë në ecjen kundër homofobisë, për të përkrahur realizimin e të drejtave të secilit qytetar. Kushtetuta e Kosovës garanton barazinë, pavarësisht gjinisë dhe orientimit seksual, dhe unë edhe sot e shtoj zërin tim në përkrahje të dinjitetit të çdo personi për të jetuar i lirë dhe i pa diskriminuar”, kishte shkruar ajo në llogarinë e saj në rrjetin social Facebook pas marshit. Pas përfundimit të mandatit të saj si Presidente, si udhëheqëse e Fondacionit Jahjaga, Atifete Jahjaga është bërë më e zëshme në mbrojtje të të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe edhe atyre LGBTIQ+ në veçanti.

bottom of page