top of page

Personat LGBTIQ+ dhe Avokati i Popullit: Çka mundet me bë ky institucion për ju?  

Nëse je person LGBTIQ+ dhe dëshiron me e drejtu një ankesë për diskriminim në vendin e punës; apo nëse lënda jote në polici dhe gjykatë nuk është duke e marrë vëmendjen e duhur, por edhe për shumë probleme tjera, mundi t’i drejtoheni Avokatit të Popullit. Kjo zyrë ka për detyrë që t`i mbikëqyrë autoritetet nëse po i respektojnë kërkesat e qytetarëve për sa i përket rasteve kur këto ankesa janë në trajtim e sipër. Institucioni i Avokatit të Popullit bazohet në një parim kur vjen çështja te personat LGBTIQ+, atë të konfidencialitetit.

Në këtë intervistë, Naim Qelaj - Avokati i Popullit,  i cili ka marrë këtë detyrë qysh prej shtatorit të vitit 2020, flet hapur për çështjet e personave LGBTIQ+ dhe asaj se çka mundet me bë kjo zyre për këta persona. Ai kritikon institucionet dhe shoqërinë për mënyrën se si  adresojnë problematikat që shtjellojnë çështjet e personave LGBTIQ+. Sipas tij, kjo mënyrë shpeshherë është e mbushur me paragjykime dhe me qasje e cila në një masë të madhe cenon dhe rrezikon vetë sigurinë e personave LGBTIQ+.

Me avokatin e popullit kemi diskutuar edhe për gjuhën e urrejtjes, e cila është një tjetër problematikë që ka përfshi vetë institucionet e madje edhe institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës! 

Institucioni i Avokatit të Popullit të Kosovës është organi i ngarkuar me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe i kërkohet të mbledhë, pranojë dhe hetojë ankesat për diskriminim në çfarëdo baze, përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor.

Naim Qelaj.jpg

Imazhi: Institucioni i Avokatit të Popullit

Instituti Sekhmet: Cili është mendimi dhe vlerësimi juaj për gjendjen e përgjithshme të jetave të personave LGBTIQ+ në Kosovë? 

 

Naim Qelaj: Në përgjithësi vlerësimi ynë për personat LGBTIQ+ dhe respektimin e të drejtave të tyre në Kosovë pasqyrohet në raportin vjetor të Avokatit të Popullit. Çdo vit në raport ja kushtojmë një pjesë të veçantë, pikërisht respektimit të të drejtave të këtij grupi të qytetarëve. Vlerësimi ynë vit pas viti ka qenë se, nuk respektohen mjaftueshëm, sidomos pjesa e qasjes, trajtimit, paragjykimeve dhe respektimit të të drejtave në ofrim të shërbimeve. Dhe mënyra se si institucionet në përgjithësi por edhe shoqëria i adresohet problematikave që shtjellojnë çështjet e personave LGBTIQ+, shpeshherë është e mbushur me paragjykime dhe qasje e cila në një masë të madhe cënon dhe rrezikon vetë sigurinë e këtyre personave. 

 

Sekhmet: Kur po i përmendni institucionet, të flasim pak për seancën e 13 marsit të vitit 2022, ku në parlament u nxjerr në votim Kodi Civil. Kemi parë deklarata jo të përshtatshme dhe që kanë nxitur gjuhë të urrejtjes në publik nga vetë deputetët. Si e keni parë ju?

 

Naim Qelaj: Kjo ka qenë ndoshta shpërfaqja më e qartë e gjuhës së urrejtjes dhe qasjes jo tolerante dhe jorespektuese ndaj të drejtave të personave LGBTIQ+. Përndryshe nuk është vetëm kjo. Ne në vazhdimësi kemi pranuar ankesa dhe kemi trajtuar raste kur personat LGBTIQ+ kanë qenë të cënuar edhe fizikisht. Kemi disa raste të evidentuara kur ka pas sulme fizike ndaj personave LGBTIQ+, për shkak të orientimit tyre seksual. 

 

Në anën tjetër, qasje jo e përshtatshme ose jo pranuese ka qenë edhe në vetë mënyrën se si autoritetet i janë qasur problematikës, duke filluar prej vetë mungesës së një evidence të rasteve të raportuara – që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes dhe me veprimet ose si të themi shkeljen e të drejtave të personave LGBTIQ+ në institucione. Edhe kur këto raste raportohen nga personat LGBTIQ+, ato nuk regjistrohen dhe nuk mbahen evidenca. Ne sot e kemi të pamundur ta kemi një statistikë të qartë për të kuptuar se sa raste janë të paraqitura, çfarë veprime janë ndërmarrë – ngase këto statistika nuk pasqyrohen në mënyrë të mirë për shkak të mungesës së evidencave. Në anën tjetër, në rastet që ne i kemi trajtuar kemi parë që përveç mungesës së evidencës dhe qasjes jo të duhur, rastet nuk janë trajtuar si vepra penale: krim i nxitur nga urrejtja kundër personave LGBTIQ+, por janë klasifikuar si vepra tjera penale apo kundërvajtëse duke ju shmangur motivit që i ka shtyrë personat e caktuar të kryejnë veprime të dhunshme ndaj personave LGBTIQ+. 

 

Nëse flasim tash për kodin civil dhe mosnjohjen e kësaj të drejte që të regjistrohen martesat ashtu siç e përcakton edhe Kushtetuta. Pasi që në Kushtetutë njihet e drejta e martesës së çdo personi pa ndonjë kriter apo kushtëzim në aspektin gjinor dhe të orientimit seksual. Kjo për neve paraqet qasjen e mendësisë shoqënore por edhe të klasës politike dhe të qytetarëve në përgjithësi për mos të qenë të gatshëm t’i pranojnë edhe këta qytetarë të Rrepublikës së Kosovës. Pasi që edhe personat LGBTIQ+ gëzojnë të drejta të barabarta si çdo qytetar tjetër. Në një farë mënyrë diskriminimi i personave LGBTIQ+ fillon qysh këtu, ku pjesa që e kundërshton dhe refuzon t’i njohë këto të drejta, mendojnë që cënojnë shoqërinë dhe familjen. Shpeshherë janë etiketuar me cënim edhe të moralit dhe shëndetit. Krejt këto janë kulmu në seancën e marsit të vitit 2022 ku deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës e shpërfaqën një gjuhë e cila përveç se nuk është parlamentare, nuk është e përshtatshme për publikun e shpeshherë është edhe nxitje e urrejtjes dhe mosdurim ndaj pjesëtarëve LGBTIQ+. Kjo pastaj reflektoi në komente në rrjete sociale dhe në mediume tjera, komente të cilat në masë të madhe rrezikuan jetën dhe integritetin e personave LGBTIQ+, gjë që padyshim tek këta persona ka sjellur pasiguri dhe shqetësim për shëndetin dhe jetën e tyre. Konsideroj se veprime të kësaj natyre ku shpërfaqet një gjuhë e tillë dhe një reagim aq i madh shoqëror janë momente të cilat neve duhet të na bëjnë të reflektojmë shumë në drejtim të asaj se çka kemi bërë deri tash dhe cilët janë hapat që duhet t’i ndërmarrim për të parandaluar situata të tilla në të ardhmen. 

 

Sekhmet: Po ndalemi pak edhe në fillim ku e përmende zingjirin e institucioneve që i trajtojnë rastet. A e ke fjalën për policinë e cila është institucion i parë që pranon dhe hapë rastet?

 

Naim Qelaj: Po kryesisht veprimet që nxisin gjuhë të urrejtjes dhe shkaktojnë shqetësim dhe pasoja të një individi për shkak të orientimit seksual ose përkatësisë gjinore, padyshim cilësohen si vepra penale dhe të ndëshkueshme. Tani, zingjiri i autoriteteve që duhet të veprojnë në çdo rast që konstatohet se ka dyshime që ekziston një veprim i tillë fillojnë me policinë që është adresa e parë. Policia është autoriteti i parë për të paraqitur një ankesë. Mirëpo, nuk ndalet me këtu. Është një varg institucionesh: Prokuroria, Gjykata, Shërbimi Sprovues, Mbrojtësit e Viktimave, Qendra për Punë Sociale. Në krejt këto institucione që unë po i përmendi, nuk ka ndonjë evidencë të këtyre veprimeve dhe rasteve të personave LGBTIQ+. Nëse ju sot shkoni në Polici dhe kërkoni evidencë të rasteve të veprimeve penale ose veprimeve të kundërligjshme ndaj personave LGBTIQ+, nuk mund të gjeni evidenca. Ne si institucion kemi punu shumë në disa drejtime dhe dimensione. E para, ka qenë informimi dhe edukimi i qytetarëve përmes promovimit të të drejtave të personave LGBTIQ+. Çdo takim në çdo format të prezantimit publik ne kemi ngritur zërin fuqishëm duke e theksuar se askush në këtë vend nuk mund të diskriminohet për shkak të orientimit seksual apo përkatësisë gjinore; se të drejtat e personave LGBTIQ+ janë të drejta të njeriut të cilat u takojnë atyre pa asnjë dallim sikur secilit qytetar tjetër; se njohja e të drejtës për të krijuar familje është një e drejtë universale dhe me kushtetutë dhe nuk mund të mohohet nga asnjë veprim i autoriteteve, e as me kodin civil i cili është në proces të hartimit dhe aprovimit; informacionet mbi të drejtat dhe mundësitë që i kanë personat LGBTIQ+ se si të fillojnë raportimin pa diskriminim dhe të raportohen e të ndëshkohen. Në anën tjetër kemi provuar që përmes kësaj fushate të përhershme, sepse edukimi është një element ose një pjesë e aspektit të punës sonë të vazhdueshëm dhe nuk ka ndonjë afat të caktuar. Tentojmë të ndikojmë edhe te vetë institucionet për të kuptuar rolin e tyre dhe për reaguar  në përputhje me ligjin dhe në drejtim të respektimit të të drejtave të personave LGBTIQ+.

 

Sekhmet: Kur po folni për këto institucione, a keni drejtu ndonjë reagim ose a keni gjetë ndonjë formë që të flisni me deputetët që kanë nxit gjuhë të urrejtjes në paralement?

 

Naim Qelaj: Në fakt ne jemi duke e hartu një raport për gjuhën në diskurs publik ku një kapitull i veçantë i këtij raporti do t’i kushtohet pikërisht seancave paralamentare me fokus të veçantë seancës së Marsit të vitit 2022, kur është folë për Kodin Civil dhe ku ka pasë debat të ashpër dhe është përdorur fjalor i cili për neve ka qenë i papranueshëm dhe ka pasur elemente diskriminuese dhe gjuhë të urrejtjes. Edukimi dhe informimi është një pjesë. Pastaj raporti dhe fokusi i këtij raporti tek gjuha e urrejtjes është pjesa tjetër. E fundit, ne jemi duke hartuar një udhëzues të trajtimit të rasteve të paraqitura nga personat LGBTIQ+ dhe këtë jemi duke e bërë bashkë me shoqërinë civile duke e shfrytëzuar ekspertizën që e kanë edhe shoqëria civile në këtë fushë por edhe ekspertizën që e kemi ne në mbështetjen e partnerëve dhe organizatave partnere. Ne jemi duke e hartuar një udhëzues se si personat LGBTIQ+ t’i adresojnë rastet te Avokati i Popullit, mënyrën se si duhet t’i qasen, si t’i përcjellin dhe si te reagojnë. Po ashtu jemi duke hartuar edhe një udhëzues të trajtimit të rasteve të gjiuhës së urrejtjes dhe krimit të urrejtjes. Sepse të dy këto aspekte janë shumë të shpërfaqura tek personat LGBTIQ+. Në anën tjetër ne kemi qenë vazhdimisht të pranishëm në publik përmes konferencave, takimeve me qytetarë ku kemi kundërshtu dhe kemi dalë haptas në mbështetje të kërkesave të të drejtave që i ka ky grup i qytetarëve.

 

Sekhmet: Pasi që jeni duke e bërë një raport për gjuhën e urrejtjes në diskursin publik. Çka synoni me bo me këtë raport? Sa është dhe çfarë ndikimi mundet me pasë ky raport? Poashtu, a keni me tentu me folë me këta deputetë apo edhe me kryetaren e Komisionit të të Drejtave të Njeriut Duda Balje, e cila po shfaqë gjuhë të urrejtjes në çdo prezantim të saj publik? 

 

Naim Qelaj: Unë nuk do të diskutoj për rastet konkrete për shkak që kjo analizë/raport ka me tregu për këto raste dhe që konsiderohet nga ana jonë si gjuhë e urrejtjes dhe në çfarë mase. Raporti në përgjithësi do të flasë për të si fenomen dhe si dukuri në shoqërinë tonë. Raportet që i nxjerr avokati i popullit, përveç konstatimeve dhe rekomandimeve del edhe me zgjidhje që më pastaj ua propozon autoriteteve përgjegjëse. Këto rekomandime vazhdojmë pastaj me i përcjellë nëse po përmbushen apo jo. Në këtë rast, nëse ne konstatojmë që ka pasë gjuhë të urrejtjes në Kuvendin e Republikës së Kosovës, padyshim që rekomandimet kemi me ja adresu kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ne kemi pa që ka pasë një reflektim tek nxjerrjet e rregulloreve të punës së Kuvendit. Nëse i referohemi kësaj rregulloreje, aty është përfshirë pjesa e gjuhës jo parlamentare ku është përcaktu edhe gjuha që nxitë urrejtje si njëra prej gjuhëve jo parlamentare qe mundet me u ndëshku dhe me pasë pasoja. Ne e dijmë që deputetët kanë imunitet, megjithatë te vetë rregullorja e punës së Kuvendit por edhe praktikat e vendeve tjera parlamentare, që kjo gjuhë duhet të jetë e kujdesshme dhe e kufizuar në çdo rast ku ajo mund të cënojë grupe të caktuara shoqërore. 

 

Sekhmet: Nëse nuk jam gabim, janë duke e proceduar një kod të etikës në Kuvendin e Kosovës. A jeni të informuar për këtë?

 

Naim Qelaj: Po jemi të njoftuar, por nuk e di sa kanë me u përshi këto që po i flasim. Po besoj që do të përfshihen për vetë faktin se janë të përfshira në rregulloren e punës. Besoj unë që rregullorja e punës duhet të jetë dokumenti kryesor që rregullon aspektet e përgjithshme të funksionimit dhe të ushtrimit të funskionit të deputetëve. Ne kemi pasë edhe një praktikë gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese në drejtim të asaj se deri në çfarë limite mund të shkojë e drejta e lirisë së një deputeti për t’u thirrur në imunitet. Pra imuniteti mund të jetë vetëm në kuadër të ushtrimit funksional të mandatit të ri, pra vetëm në kuadër të asaj pjese që është ushtrim i funksionit që mban, por jo përtej asaj, duke dhënë edhe sqarime shtesë. Krejt këto praktika, rregullorja, por ndoshta edhe raporti që ne do të nxjerrim besoj që ka me ndiku që me pasë më shumë kujdes. Kemi vrëejtë që kur gjuha e urrejtjes dhe gjuha e papërshtatshme përdoret nga profili i lartë publik, atëherë reagimi i publikit është tepër i madh dhe gjuha që shpërfaqet pastaj në komentet e atyre shikuesve, degjuesve apo e publikut në përgjithësi është e papranueshme dhe mund të sjellë shumë leht rrezik dhe incidente për grupe të caktuara. 


Sekhmet: Kur pritet me u publiku raporti juaj? Dhe në anën tjetër ju thoni se besoni se do të ketë ndikim që me pasë më shumë kujdes. Sa janë duke u zbatuar rekomandimet tuaja?

 

Naim Qelaj: Ne jemi duke punuar intenzivisht dhe besoj që do të dalë shpejt. Gjithsesi gjatë këtij viti, ndoshta në pjesën e dytë të nëntorit. E sa i përket zbatimeve të rekomandimeve tona, në fakt ka qenë preukopim apo shqetësim i yni tash e shumë vite. Ka qenë shqetësim edhe i Bashkësisë Ndërkombëtare por edhe vetë institucioneve vendore, atyre që janë kompetente me u kujdesë për mbikëqyrjen e zbatimeve të rekomandimeve tona. Ka një përmirsim të ndjeshëm të zbatimit të rekomandimeve. Ne kemi qenë shumë të kujdesshëm që gjithmonë rekomandimet me qenë të tilla që janë objektivisht të realizueshme. Pra, nuk kemi vendosur rekomandime që autoritetet i qesin para një pozite të pamundësisë për t’i zbatu. Jo çdoherë këto rekomandime kërkojnë kosto buxhetore. Ka edhe raste të tilla, po kryesisht rekomandimet tona nuk kanë një kosto të papërballueshme për shtetin. Kërkojnë angazhim shtesë, por jo kapacitete shtesë. Dhe krejt kjo ka bë që ne me një masë me qenë të kënaqshëm me arritjen e nivelit të zbatimit por jo me zbatimin në përgjithësi, ngase përderisa nuk ka zbatim 100 përqind, ne nuk jemi të kënaqur me zbatimin e tyre. Gjatë një viti kur bëjmë matje në dhjetor ose në fund të vitit për të cilin raportojmë, shohim se lëviz zbatimi brenda atij viti të rekomandimeve tona 27-29 përqind. Mirëpo, pastaj është një numër apo përqindje tepër e madhe e përgjigjeve të autoriteteve që ata i kanë marrë veprimet për zbatim. Që shpeshherë e kalon mbi 45 përqind. Diku, 5-7 përqind janë rekomandime që ne nuk marrim përgjigje ose kur kemi informacion që nuk janë duke u zbatu. Duke e pa këtë trend të lëvizjeve, besoj që rekomandimet tona kanë një efekt të jashtëzakonshëm për përmirësimin e situatës ose gjendjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi, apo me të drejtat LGBTIQ+. 

 

Sekhmet: Në një raport të vitit 2022 të Avokatit të Popullit keni thënë që duhet me u integru lënda për edukim seksual në sistem arsimor, ku keni parapa të flitet edhe për seksualitetin. A është bë diçka në këtë drejtim? 

 

Naim Qelaj: Unë nuk i kam informacionet që aktualisht me dhënë një përgjigje por e di që lënda e edukatës qytetare dhe lëndë të tjera ka të përfshira kurrikula ose programe që kanë përmbajtje të edukimit seksual por nuk kam informacion me të saktë. Në momentin që do ta kem do ta bëj këtë njoftim.  

 

Sekhmet: Pastaj është edhe qasja në shërbimet shëndetësore, sidomos për personat që dojnë me fillu tranzicionin gjinor. Ne ende kemi mungesë të këtyre shërbimeve. Cka po bënë Ministria e Shëndetësisë për këtë? Sa jeni të informuar për këtë çështje dhe a keni dhënë ndonjë rekomandim ndër vite? 

 

Naim Qelaj: Unë e di që vite ma herët avokati i popullit ka dalë me një qëndrim dhe me një raport për rastin individual të një kërkese të një qytetari për ndryshim të gjinisë, edhe deri më tash në aspekt të ofrimit të shërbimeve shëndetësore ne kemi trajtu vetëm aspekte të përgjithshme të shëndetit riprodhues dhe seksual po pa u ndalë me një dimension të veçantë të ofrimit të shërbimit për personat LGBTIQ+ dhe tranzicionin gjinor. Nga hulumtimet që i kemi kry, kemi vërejtë që te shërbimet për shëndetin seksual ka një qasje jo të përshtatshme të gjuhës që përdoret. Këtë e kemi kuptu nga intervistat që kemi realizuar me personat që kanë marrë shërbim shëndetësor ku ka dalë se gjuha që përdoret është gjuhë që cënon edhe vetë dinjitetin e personave që u ofrohet shërbim. Pra, qasja e padinjitetshme është njëra prej aspekteve që ne e kemi trajtuar në raportet tona. Pastaj, janë edhe aspektet tjera që lidhen me diskriminimin gjatë shërbimeve. Shpesh edhe mënyra se si i qaset dhe gjuha që përdoret në raport me grupet e caktuara të qytetarëve është edhe e tillë që shkakton ndjenjën e pasigurisë, duke mos lënë me kuptu që u ofrohet shërbimi i duhur shëndetësor. Por nuk kemi diçka tjetër konkrete për këtë. E di që nuk kemi marrë ankesa në këtë drejtim. Ankesat e pjesëtarëve të komunitetit LGBTIQ+ drejtuar avokatit të popullit janë të pakta. Pra, nuk kemi shumë ankesa. Në ato raste që marrim ankesa janë të karakterit të tillë për situata të agravimit të dhunës, apo shqetësimit dhe rrezikimit të vetë integritetit personal të personave që ankohen. Kjo na bënë neve që pastaj mos me pasë edhe shumë informacione. 

 

Sekhmet: Para se me dalë se si mund të drejtohen dhe ankohen tek avokati i popullit, po flasim pak për shëndetin mendor dhe programin e planin që e ka zyra e avokatit të popullit për vitin 2023/2024. Cka është parapa në këtë plan dhe sa po ponohet?

 

Naim Qelaj: Ne jemi në fazën e identifikimit të personave që kanë ekspertizën e mjaftueshme për me na dhënë fillimisht një pasqyrë të plotë ose të përgjithshme të funksionimit të sistemit shëndetësor në raport me shëndetin mendor, e pastaj kemi dalë me një raport për gjendjen e shëndetit mendor apo ofrimin e shërbimeve në Qendrën e Psikiatrisë Forenzike dhe institucioneve që punojnë në kuadër të shërbimeve korrektuese të Republikës së Kosovës. Ne mendojmë se këtu është fillimi, se si po trajtohen personat që vetëm se janë identifikuar me probleme të shëndetit mendor. Kemi hasë në probleme dhe në mangësi në sistem. Këtu përfshihet edhe aspekti i kornizës ligjore por edhe në mekanizmat e zbatimit të saj, por edhe në vetë institucionet që ofrojnë shërbime shëndetësore. Ne kur e trajtojmë shëndetin mendor, do ta trajtojmë në nivel të shoqërisë dhe një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet edhe grupeve të ndjeshme sepse këto grupe janë të dispozume që janë më të cenuarat edhe në këtë drejtim. Kështu që besoj gjatë vitit, jemi duke punuar ngushtë edhe me shoqatat e shoqërisë civile që kanë ekspertizë në këtë fushë, dhe po besoj që ka me dalë një fushatë e suksesshme. Deri më tani nuk i është dhënë rëndësia e duhur, por ka edhe shumëçka me u bo në këtë drejtim. 

 

Sekhmet: Po dalim pra tash se çka mundet zyra e avokatit të popullit me i mbështetë dhe me i mbrojtë personat LGBTIQ+ që munden me u përballë me diskriminim dhe paragjykim. Qysh munden me bo një ankesë? 

 

Naim Qelaj: Fillimisht qasja dhe parashtrimi i ankesave tek avokati i pupullit është shumë e lehtë, sepse nuk ka ndonjë kufizim në parashtrim të ankesës. Ajo mund të bëhet verbalisht para institucionit dhe zyreve tona këtu dhe zyrat regjionale, duke ardhë në institucion dhe duke paraqitur ankesën. 

 

Zyrtarët janë të trajnuar dhe vazhdimisht trajnohen për qasjen dhe mënyrën se si duhet të trajtohen këto raste. Përmes adresës postare po ashtu, postës elektronike, përmes aplikacionit në uebfaqe, përmes rrjeteve sociale e po ashtu edhe përmes takimeve grupore. Ne shpesh kemi marrë ankesa edhe gjatë konferencave dhe takimeve të ndryshme publike. Ajo çka duhet me e ditë secili qytetarë në Republikën e Kosovës, është që Avokati i popullit udhëhiqet nga disa parime. Parimi kryesor që mbisundon në punën tonë, është parimi i konfidencialitetit që besoj është një prej parimeve të rëndësishme kur flasim për qytetarët LGBTIQ+. Tani, ky konfidencialitet shkon deri në atë nivel që as autoritetet përgjegjëse nuk dinë se për kë bëhet fjalë përveq rasteve kur është e pamundur me u fshehë për shkak se dihet identiteti ose vetë pala ju ka drejtu edhe autoriteteve. 

 

Në anën tjetër besoj që qytetarët duhet me e ditë që Avokati i Popullit nuk i zëvendëson autoritetet tjera. Ne nuk e luajmë rolin as të avokatit që pala e cakton në procedurë, as të gjykatës për me dhënë një vendim apo verdikt, por as të policisë apo të prokurorisë për me kry një hetim. Këtu janë autoritetet që duhet me kry punën e vet. E jona është me i mbikëqyr këto autoritete a po i respektojnë kërkesat e qytetarëve tek rastet kur i trajtojnë këto ankesa. Për me qenë më i qartë, është që kur një autoritet që është përgjegjës për me vepru – nuk vepron apo vepron në kundërshti me ligjin, atëherë ankesa duhet me ju shtru Avokatit të Popullit për shkak që ne jemi kompentent. Tek policia, është shumë interesant se çdoherë kur ne kemi reagu apo kemi bo një kërkesë dhe kemi adresu një çështje kanë reaguar me kohë. Gjithmonë ka qenë kompotente dhe e përgjegjshme me na dhënë një përgjigje. Pavarësisht faktit që ka mujtë me pas ndonjë gabim në veprimet e tyre apo ka pas shkelje të procedurave, ata neve na u kanë përgjegj dhe gjithmonë me shumë kujdes na kanë tregu se kanë marrë veprime me përmirsu dhe me rregullu gjendjen. Te prokuroria dhe gjykata është pak më e vështirë, sidomos të gjykatat. Tek prokuroria kemi autorizime më të plota me vepru, përveq se nuk ndërhyjmë në hetim. Ndërsa sa i përket gjykatave kemi përkufizime për shkak që ligji për avokatin e popullit dhe praktika e punës është e tillë që nuk ndërhyjmë në procedurat gjyqësore dhe kryesisht i përcjellim vetëm zvarritjet e proceseve gjyqësore. 

 

Sekhmet: Ose a mundeni me ndihmu në procese gjyqësore, për individët që kanë nevojë për mbështetje dhe këshilla?

 

Naim Qelaj: Me i ndihmu ne kemi pasë raste kur kemi dalë me opinione që ja kemi dërgu gjykatës, pikërisht për raste konkrete edhe këto raste janë tregu shumë të suksesshme, sepse gjykata opinionin tonë e ka shfrytëzu si mjet për me mujtë me dhënë vendim të drejtë edhe me ja mundësu çdo qytetari me realizu të drejtën e vetë. 

 

Sekhmet: A mundeni me më tregu se kur ka ndodhë kjo dhe cilat janë rastet. Ndonjë element, pasi që e dijmë se rastet janë shumica konfidenciale?

 

Naim Qelaj: Rasti i parë ka qenë rasti që është publik, i Blert Morinës, ku ne kemi dalë me opinion dhe kemi tregu se cilat janë aspektet që gjykata duhet me i trajtu në rastin e tij dhe mandej Gjykata Kushtetuese ka dhënë një verdikt i cili edhe sot përdoret si praktik. Mandej e kemi edhe rastin e Luljeta Aliut, ku policia nuk e ka regjistruar rastin e saj. Ne kemi dalë me një opinion dhe kemi konstatu që diskriminimi në bazë të veshjes është i kundërligjshëm dhe gjykata pastaj ka nxjerrë vendim që në këtë rast policia ka diskriminu. I fundit është rasti Faruk Ukaj, person me aftësi të kufizuar i cili ka adresuar në gjykatë një padi ndaj Komunës së Prishtinës për diskriminimin në qasje dhe mosofrimit të qasjes. E gjykata në aktvendim i ka përfshirë edhe rekomandimet tona. Pra i kemi tri raste ku kemi pasë sukses dhe janë marrë parasysh rekomandimet tona. 

 

Sekhmet: Po du me të pyet po ashtu edhe për strehimoren. Kosovës ende i mungon një strehimore për personat LGBTIQ+. A jeni të informuar nëse është duke ndodh ndonjë gjë dhe a keni dhënë rekomandime në Qeveri për këtë cështje?

 

Naim Qelaj: Të them të drejtën ka qenë premtim publik që ka me u bë kjo strehimore prandaj edhe ne kemi pritë që të realizohet. Kur ka një premtim publik se një çështje do të zgjidhet ne arrijmë në përfundim logjik se autoriteti është i vetëdijshëm për pasojat dhe magësitë. Kur i kemi këto aspekte parasysh ne presim që me ndodh një gjë e tillë. Çdo ditë që vonohet apo shtyhet zgjidhja e këtij problemi, shtohet një ditë diskriminim për personat LGBTIQ+ sepse e dijmë tek rastet që është paraqitë nevoja për strehim, ka dalë dhe është paraqitë problem tepër i madh për të gjitha institucionet, si policinë, gjykatën dhe institucionet tjera. Po problemi më i madh dhe shqetësimi më i madh këtu është i personave që kanë nevojë për këtë strehim e nuk mund t`i ofrohet. Ne u kemi bërë thirrje autoriteteve në çdo takim që e kemi pasë dhe kemi diskutu për çështjet LGBTIQ+, se strehimorja është njëra prej nevojave më urgjente që duhet me pasë vendi ynë, mirëpo mbesim në pritje të realizimit dhe premtimit publik. Mesa e di edhe vetë kryetari i Prishtinës e ka bë publik me një konferencë, që nuk më kujtohen në cilën prej tyre. Nëse deri në fund të këtij viti nuk ofrohet ndonjë zgjidhje atëherë duhet me u mobilizu me shoqërinë civile dhe që mbështesin zgjidhjen e këtij problemi, që me shtu presionin tek autoritetet.

Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.

 

Dizajni nga: Elvira Thaçi

Intervistuesi: Dardan Hoti

Logo_edited.jpg
SDC_RGB_hoch_pos.jpg
Sweden_logotype_England_edited.jpg
LUXEMBOURG_AID&DEVELOPMENT_LOGO_CMYK.jpg

Zhvillimi dhe publikimi i kësaj interviste është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e kësaj interviste është përgjegjësi e Institutit Sekhmet dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF-së, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.

bottom of page