top of page

Çka thonë programet e partive politike për çështjet LGBTIQ+?

 

 

Instituti Sekhmet po analizon partitë më të mëdha dhe disa parti që përfaqësojnë minoritetet etnike në Kosovë rreth mënyrës se si i trajtojnë çështjet LGBTIQ+ në programet e tyre për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë. 

 

Kjo analizë synon të rrisë llogaridhënien e partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në lidhje me të drejtat e personave LGBTIQ+, duke fuqizuar njëkohësisht qytetarët LGBTIQ+ për të lobuar për politika progresive. 

 

Rezultatet fillestare të kësaj analize tregojnë se thuajse të gjitha partitë politike në programet e tyre theksojnë ruajtjen e familjes si institucion qendror në shoqëri. Kjo qasje shpesh përdoret nga akterë politikë për të justifikuar përjashtimin e personave LGBTIQ+ dhe për të kundërshtuar çdo nismë që synon barazinë dhe të drejtat e këtyre personave. 

 

Për më tepër, programet e partive politike nuk i përmendin fare nevojat dhe të drejtat e personave LGBTIQ+. Madje, në disa raste, këto programe përmbajnë qëndrime që cenojnë drejtpërsëdrejti përpjekjet për barazi, duke nxitur frikë dhe urrejtje ndaj këtyre personave.

 

Lexoni më tutje për të zbuluar se çka thonë partitë politike →

 

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në koalicion me Nisma Socialdemokrate, Lista Konservatore dhe Forumi E30 (AAK)

 

Sipas programit të këtij koalicioni, përpjekjet për miratimin e Kodit Civil, i cili do të mundësonte njohjen e të drejtave të çifteve midis personave të të njëjtit seks, dhe nismat e tjera progresive janë “të pakuptimta”. Kjo qasje nënçmon të drejtën e qytetarëve LGBTIQ+ në Kosovë për të avokuar për barazi, duke kundërshtuar drejtpërdrejt aspiratat për një shoqëri më të drejtë. Ky qëndrim bie në kundërshtim me zotimin tjetër në programin e AAK-së për “uljen e pabarazive sociale, promovimin e mundësive të barabarta dhe forcimin e kohezionit social”.

Qëndrimi i tyre është më i qartë në një paragraf tjetër, ku haptas kundërshtohen çështjet që prekin personat LGBTIQ+:

“Institucionet qendrore si Kuvendi dhe Qeveria duhet të jenë të kujdesshme në hartimin e legjislacionit që prek familjen. Është e pakuptimtë tendenca e ligjësimit të martesave njëgjinore, sterilizimi apo fekondimi artificial për femrat e pamartuara mbi 18 vjet, largimi i konceptit ‘baba’ dhe ‘nënë’ për t’i zëvendësuar me ‘prindi 1’ dhe ‘prindi 2’ apo e drejta e çifteve njëgjinore për të adoptuar fëmijë. Është zotim i yni që në hartimin e legjislacionit të kemi kujdesin dhe vëmendjen kryesore ndaj familjes”.

Ky lloj diskursi jo vetëm që përjashton njerëzit LGBTIQ+ dhe nuk njeh të drejtat e tyre të barabarta, por gjithashtu nxit narrativat që fuqizojnë pabarazitë dhe stigmatizimin. Një qasje e tillë cenon kohezionin social për të cilin partia thotë se angazhohet.

 

Partia Demokratike e Kosovës (PDK)

PDK nuk përmend asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë personat LGBTIQ+. Në vend të kësaj, partia i referohet në mënyrë të paqartë “mbrojtjes së të drejtave të pakicave”, duke e lënë të hapur për interpretim nëse këtu përfshihen apo jo personat LGBTIQ+.

“Kosova do të angazhohet për t’i mbrojtur të drejtat e pakicave në rajon, duke shfrytëzuar mekanizmat ekzistues evropianë dhe ndërkombëtarë si BE-ja, Këshilli i Evropës dhe OSBE-ja. Ky angazhim do ta forcojë imazhin e Kosovës si një shtet që respekton të drejtat e njeriut dhe promovon barazinë.”

Ky formulim e redukton çështjen e të drejtave të njeriut në një strategji imazhi për shtetin, pa trajtuar realisht sfidat dhe diskriminimin me të cilin përballen personat LGBTIQ+, si qytetarë të Kosovës. Përveç kësaj reference sipërfaqësore, programi i PDK-së e injoron tërësisht ekzistencën dhe nevojat e personave LGBTIQ+.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Programi i LDK-së flet për rëndësinë e të drejtave të njeriut, diversitetit, barazisë dhe lirisë, por shmang përmendjen e drejtpërdrejtë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor. Në dokument, partia mbështet një qasje të përgjithshme për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor:

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se dinjiteti i çdo qenie njerëzore, si parim dhe e drejtë themelore, mund të mbrohet vetëm përmes barazisë së të gjithë qytetarëve dhe mundësive të barabarta për të gjithë, pavarësisht gjinisë, moshës, përkatësisë etnike dhe fetare.”

Megjithatë, duke mos përfshirë orientimin seksual dhe identitetin gjinor si kategori të mbrojtura, ky formulim i lë personat LGBTIQ+ jashtë kornizës së të drejtave që LDK pretendon të mbrojë. Po ashtu, dështon të bëjë një formulim që të paktën do të përputhej me atë që e parasheh Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, i cili njeh këta dy shënjues si baza të mbrojtura.

Kur flitet më konkretisht për minoritetet, programi përmend se Kosova ka “të drejtat më të avancuara minoritare në rajon”.

“Ç’është e vërteta, Kosova ka të drejtat më të avancuara minoritare, në rregullimin Kushtetues të saj, se sa secili shtet tjetër në rajon dhe më gjerë.”

Kjo qasje lë hapësirë për të dyshuar nëse LDK i konsideron personat LGBTIQ+ pjesë të kësaj mbrojtjeje apo thjesht i përjashton duke heshtur. Po ashtu, flet për një shkëputje të LDK-së nga realiteti, ku të drejtat minoritare, ndonëse të parapara me ligj, nuk janë në nivel që mund të konsiderohet i avancuar.

Socialdemokratët e Unifikuar (SDU)

Programi i SDU-së nuk përmend fare çështjet e personave LGBTIQ+. Ashtu si partitë tjera, edhe SDU vendos theksin në “mbrojtjen e familjes” si njësia themelore e shoqërisë. Në një kontekst ku “mbrojtja e familjes” shpesh përdoret nga aktorë konservatorë për të kundërshtuar të drejtat e personave LGBTIQ+, ky formulim mund të interpretohet si një qëndrim i heshtur kundër përfshirjes dhe barazisë dhe si një vazhdimësi e përjashtimit.

“Afirmimi i familjes dhe vlerave familjare, inkurajimi i barazisë brenda familjes, mbrojtja e familjes si njësia themelore e shoqërisë.”

Duke marrë parasysh qëndrimet konservatore të Duda Balje, kryetares së SDU-së, e cila ka qenë prej deputeteve më të zëshme kundër përparimit të të drejtave të personave LGBTIQ+, pritet që qasja refuzuese të vazhdojë. Theksimi i vazhdueshëm i “familjes tradicionale” është sinjal për këtë, duke lënë të kuptohet se programi përjashton familjet dhe individët LGBTIQ+ nga koncepti i mbrojtjes dhe vlerave shoqërore.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV)

Lëvizja Vetëvendosje, partia në pushtet katër vitet e fundit, në programin e saj nuk u referohet në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtave të personave LGBTIQ+ dhe nuk ka ndonjë angazhim që t’i adresojë ato. Qasja ndaj të drejtave të njeriut në përgjithësi është e mangët në program, dhe madje në  gjithë programin, fjala “barazi” shfaqet vetëm një herë, në një deklaratë të përgjithshme mbi sigurinë dhe drejtësinë:

“Do të kujdesemi për më shumë siguri, drejtësi e barazi, dhe për më pak krim, korrupsion e varfëri…”

Mungesa e një angazhimi të qartë për të drejtat e personave LGBTIQ+ e vendosë VV-në në një pozitë të paqartë. Mungesa e një përkufizimi mbi atë se cilat kategori sociale përfshihen nën këto terma tregon se të drejtat LGBTIQ+ nuk janë prioritet për këtë subjekt politik.

Koalicioni për Familjen (KPF)

Ndryshe nga partitë e tjera që nuk e kanë fokusin apo edhe shmangin përmendjen e personave LGBTIQ+ në programet e tyre, Koalicioni për Familjen (KPF) i bën këta persona një objektiv të drejtpërdrejtë të programit të tij politik, duke u angazhuar aktivisht për pengimin dhe mohimin e të drejtave të tyre Një nga shtyllat kryesore të programit të KPF-së është kundërshtimi i Kodit Civil, bazë mbi të cilën u themelua kjo parti nga dy ish-anëtarë të LVV, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica. 

“Parandalimi i çfarëdo nisme ligjore që do të cenonte statusin ekzistues ligjor të familjes: Përfshirë miratimin e Projektkodit Civil që mundëson krijimin e familjes nga individët e gjinisë së njëjtë; Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor që përcakton mundësinë e fertilizimit me surrogaci dhe donatorë jashtë çiftit bashkëshortor, të njohur e të panjohur; dhe ndryshimit të Ligjit për Gjendjen Civile që parasheh të drejtën e ndryshimit të gjinisë.”

Përveç përpjekjeve për të penguar ndryshimet ligjore që do të përmirësonin të drejtat e personave LGBTIQ+, KPF synon të kufizojë edhe lirinë akademike dhe të mendimit kritik në arsim. Si pjesë e programit të tyre për arsim, ata shprehin synimin për të ndaluar “propagandën” mbi orientimin seksual dhe identitetin gjinor, duke përdorur një gjuhë që reflekton retorikën anti-LGBTIQ+ të përdorur në disa vende me politika konservatore dhe autoritare:

“Ndalimi me ligj i çdo lloj propagande që nxit dhe promovon ide, qëndrime, e modele që lidhen me orientimin seksual a identitetin gjinor të ndryshëm nga ai biologjik, që po ashtu bien ndesh me sistemin e vlerave tona tradicionale. Kjo do të realizohet duke i ndjekur praktikat e shumë shteteve të Bashkësisë Evropiane.”

Kjo qasje është e ngjashme me politikat e vendeve si Hungaria, e cila është kritikuar nga Komisioni Evropian për shkeljen e të drejtave të njeriut nën pretekstin e “mbrojtjes së familjes”. KPF keqinformon se këto janë praktika të shumë shteteve të BE-së, pasi shumica e vendeve anëtare të BE-së kanë ligje që mbrojnë të drejtat LGBTIQ+, dhe respekti për të drejtat e njeriut është vlerë thelbësore e BE-së.

Përdorimi i gjuhës anti-LGBTIQ+ nga ky subjekt nuk është vetëm një strategji për të mobilizuar mbështetje konservatore, por duket edhe si një përpjekje e hapur për të legjitimuar diskriminimin dhe për të nxitur frikë e urrejtje ndaj personave LGBTIQ+. Kjo e bënë KPF-në subjektin më aktivisht kundër të drejtave të njeriut në këtë fushë.

OPRE ROMA

Deri më tani, Opre Roma nuk ka publikuar ndonjë plan politik, duke lënë të paqartë pozicionimin e tyre në lidhje me të drejtat e personave LGBTIQ+.

Logo_edited.jpg
SDC_RGB_hoch_pos.jpg
Sweden_logotype_England_edited.jpg
LUXEMBOURG_AID&DEVELOPMENT_LOGO_CMYK.jpg

Kjo analizë fokusohet në monitorimin e fjalimeve publike dhe intervistave të përfaqësuesve politikë, hulumtimin e programeve të partive politike për zgjedhjet e ardhshme dhe analizimin e grupeve rinore brenda partive politike, veçanërisht në lidhje me qëndrimet e tyre ndaj çështjeve LGBTIQ+. Projekti synon të promovojë të menduarit kritik për përmbajtjen mediatike, veçanërisht se si partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre trajtojnë ose keqinterpretojnë çështjet LGBTIQ+.

 

Ky projekt mbështetet nga programi 'EJA Kosova' i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), me bashkëfinancim nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedi dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Dhe po ashtu nga Rrjeti SEECheck – luftimi i dezinformatave dhe dezinformatave përmes një rrjeti të kontrolluesve të fakteve. 

 

Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me BIRN Kosova.

EN-Funded by the EU-WHITE.png
See Check Logo.png

© Instituti SEKHMET

  • Instagram
  • Facebook
bottom of page