top of page

Albin Kurti (2021    )

Në një emision televiziv në mandatin e tij të parë si Kryeministër i Republikës së Kosovës në vitin 2020, Kurti ishte shprehur në lidhje me diskriminimin dhe gjuhën e urrejtjes së shfaqur nga shumë politikanë kundrejt emisarit të Shteteve të Bashkuara Richard Grenell, “Të gjitha këto paragjykime e stigmatizime për shkak të orientimit seksual dhe jetës së tyre, janë të papranueshme për mua, aq më tepër kur paragjykimet dhe stigmatizimet marrin një formë aktive të shprehjes së njerëzve në formë të sulmeve të ndryshme”, kishte thënë ai.  Në vitet 2021 dhe 2022, Albin Kurti u bë kryeministri i parë që kishte qëndruar në heshtje për sa i përket çështjes së personave LGBTIQ, duke mos marrë pjesë as në hapjen e zakontë të Javës së Krenarisë, e cila tradicionalisht organizohet nga Zyra e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e as në ecjen e përvitshme të krenarisë. Në vitin 2022, në seancën famëkeqe të 16 marsit për Projektligjin për Kodin Civil, në një përpjekje për të bindur deputetët e deputetet e Parlamentit të votojnë pro Projektligjit, kishte thënë se në Kosovë afër 10% e popullësisë janë “pakica seksuale” dhe se këto bashkëjetesa e këto bashkësi civile (duke ju referuar bashkëjetesave e bashkësive civile mes personave të seksit të njëjtë), po ndodhin. Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës kishin hezituar deri në momentet e fundit ta ndriçonin ndërtesën e Qeverisë me ngjyrat e ylberit në shënim të Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë e Transfobisë, duke e bërë këtë vetëm pas presionit të aktivistëve e aktivisteve të shoqërisë civile. Në maj të vitit 2022 dhe në maj të vitit 2023, ndërtesa e Qeverisë ishte ndriçuar me ngjyrat e ylberit dhe Kryeminstri Kurti kishte shkruar në platformën twitter se IDAHOT na kujton se të gjithë jemi të barabartë, pa marrë parasysh orientimin seksual”. Ndërsa në po të njëjtën ditë në vitin 2023, ai në twitter ishte shprehur,  “...qëndrojmë së bashku në diversitet”. Asnjë adresim nuk e kemi gjetur në rrjetin social Facebook të Kryeministrit, në lidhje me këtë. 

Më në fund, në vitin 2023 Kryeministri Kurti kishte hapur Javën e Krenarisë dhe kishte marrë pjesë në paradën e krenarisë dhe ndërkohë që në hapjen e Javës së Krenarisë kishte dhënë një fjalim me përplot paqartësi,, duke ju referuar ndër të tjera edhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit “Këtë vit, Java e Krenarisë, e gjashta me radhë, po festohet në një muaj shumë domethënës, në të cilin shënohen edhe ngjarje të rëndësishme të historisë sonë. Prej 10 qershorit të Lidhjes së Prizrenit, një lidhje politike, lëvizje kombëtare e themeluar në 1878. E më 12 qershor e kemi edhe përfundimin e një lufte të gjatë dhe të rëndë, e cila solli lirinë e paqen, por edhe lëvizjen e Kosovës për më shumë zhvillim e më shumë demokraci.” kishte thënë ndër të tjera Kurti në fjalimin e tij të hapjes së Javës së Krenarisë. Për paradën dhe personat LGBTIQ+  ishte shprehur për herë të parë në platformën Facebook, duke thënë se, “Janë të papranueshme kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet që i përjetojnë pjesëtarët e komunitetit LGBTQIA+. Shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojnë dhe duhet të mësojnë për ta.”

bottom of page