top of page

Vota queer dhe përfaqësimi politik i personave queer
në Kosovë

Hulumtim nga Instituti Sekhmet

Përtej diskriminimit të gjerë, personat LGBTIQ+ në Kosovë ballafaqohen me një boshllëk të madh për sa i përket përfaqësimit politik të zërave të tyre. Teksa të gjitha partitë politike thirren në vlera e standarde evropiane dhe të drejtat e njeriut i pranojnë deklarativisht, nuk ekziston asnjë parti politike në Kosovë e cila në mënyrë konsistente e të sinqertë ka treguar mbështetje për personat queer në Kosovë. Teksa individë të caktuar, shumë të paktë në numër, brenda partive politike kanë shfaqur një farë mbështetje simbolike për personat queer, për gjithë këto vjet, partitë politike kanë zgjedhur në të shumtën e rasteve heshtjen e në disa raste të izoluara, deklarime të paqarta e me shumë kuptime, kur janë pyetur për qëndrimet e tyre në lidhje me çështjet LGBTIQ+. 

 

16 marsi i vitit 2022 shënoi shpërfaqje të gjuhës së urrejtjes e bindjeve përjashtuese të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në seancën për aprovimin e draftit të Kodit Civil. Teksa kjo shpërfaqje e ashpër e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit nga Kuvendi i Kosovës shënoi një kthesë të madhe, duke e goditur rëndë gjithë punën që organizatat e shoqërisë civile, aleatët dhe vetë personat LGBT+ e kanë bërë për gjithë këto vjet për të siguruar ambiente të sigurta për personat LGBTIQ+, në një farë mënyre ajo shërbeu edhe për të na e bërë të qartë një herë e mirë se ku qëndrojnë politikanët që deri atë ditë ishin fshehur prapa një petku të mbrojtësve të të drejtave të njeriut. 

 

Për shkak të mungesës së përfaqësimit, votuesit LGBTIQ+ dhe aleatët e kanë të vështirë të identifikojnë partitë e politikanët mbështetës të çështjeve e personave LGBTIQ+, duke u ballafaquar më së shumti me mungesën e mekanizmave për llogarikërkim nga të zgjedhurit e të zgjedhurat dhe për shtyerje përpara të proceseve.

 

Ky hulumtim i Institutit Sekhmet, ka për qëllim të ofrojë dije të shpejtë, domethënëse e të kuptueshme në lidhje me sjelljet, bindjet e qëndrimet publike të zyrtarëve të zgjedhur si dhe partive politike në lidhje me çështjet LGBTIQ+ në njërën anë, si dhe me bindjet e qëndrimet e votuesve queer në Kosovë në anën tjetër. Pjesë e rëndësishme e këtij hulumtimi janë edhe intervistat e realizuara me figura të ndryshme politike të kohës së sotme. 

 

Teksa të gjeturat dhe rekomandimet specifike do t’i gjeni në secilin sekcion përkatës të këtij hulumtimi, një observim dhe e gjetur e përgjithshme tregon për mungesë të vullnetit të aleatëve që operojnë brenda partive politike, për të shtyrë përpara çështjet LGBTIQ+ brenda subjekteve ku ata ushtrojnë funksionin e tyre politik. Në anën tjetër, rrjetet sociale ku zyrtarët politikë më së shpeshti i shprehin qëndrimet e tyre publike, nuk janë platforma zyrtare. Duke mos qenë të tilla, ato janë subjekt i manipulueshëm dhe instrument i falsifikimit të mendimit. Shpeshherë kemi hasur në redaktim apo fshirje të publikimeve nga zyrtarë të ndryshëm. Sjellje të tilla nga përfaqësues politikë, na çojnë ne si hulumtues në lajthitje dhe janë tregues për problematikën komplekse e të paqëndrueshme të pozicionimit të tyre për sa i përket çështjeve LGBTIQ+. 

Mosekzistenca e kulturës së programeve politike, apo ekzistenca e programeve politike të vobekëta e të paqarta, me gjuhë populliste e të përgjithësuar, e bën të pamundur llogarikërkimin për qytetarët LGBTIQ+. Të mos flasim për atë se ato programe politike, të vobekëta e të paqarta siç janë shpeshherë, lansohen në publik shumë afër datës së zgjedhjeve dhe në disa raste kemi gjetur se edhe janë fshirë menjëherë nga platformat zyrtare të partive politike. 

 

Në mënyrë që të kryhet një hulumtim sa më gjithëpërfshirës dhe i saktë që përfshin personat queer në Kosovë, këtu duhet kultivuar një shoqëri pranuese për t’u hapur rrugë atyre të mos ndihen të kërcënuar që të dalin haptazi si të tillë. Krahas një shoqërie kulturalisht e tradicionalisht homofobike, ky cikël vicioz i moskrijimit të mekanizmave për llogarikërkim e llogaridhënie, është një mur i betontë që e parandalon këtë, përkundër gjithë punës së shoqërisë civile e aleatëve dhe vetë personave LGBTIQ+ për krijimin e hapësirave të sigurta. Një e gjetur tjetër e përgjithshme e këtij hulumtimi tregon se të drejtat e njeriut dhe të drejtat LGBTIQ+ shpeshherë bëhen subjekt i kalkulimeve të ngushta politike. Duke qenë se aleatët e mbështetësit e personave në LGBTIQ+ janë të shpërndarë sporadikisht nëpër parti të ndryshme politike dhe është e vështirë t’i bësh bashkë dy sosh nga një subjekt i njëjtë politik, rekomandojmë krijimin e një grupi parlamentar për të drejtat LGBTIQ+, në të cilin përfaqësohen të gjithë zërat mbështetës nga subjekte të ndryshme politike, duke marrë për bazë shembullin e një të tilli të krijuar së fundmi në Maqedoninë Veriore. Në anën tjetër, një platformë publike për pozicionim publik të deputetëve dhe përfaqësuesve të institucioneve në lidhje me çështje të ndryshme jetike për funksionimin shtetëror, do të ishte e mirëseardhur, për të parandaluar mundësitë e redaktimit e falsifikimit të qëndrimeve publike dhe për të krijuar një mekanizëm të besueshëm të llogarikërkimit e llogaridhënies. 

 

Aurela Kadriu

Ky hulumtim dhe përpilimi i kësaj analize është është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia, dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut. Përmbajtja e këtij dokumenti është përgjegjësi e Institutit Sekhmet dhe jo domosdoshmërisht paraqet qëndrimet e KCSF- së, SDC-së, Suedisë apo Luksemburgut.

​

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të autorëve dhe Institutit Sekhmet dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit. 

​

Botuar nga: Instituti Sekhmet

Autorë: Aurela Kadriu dhe Roni Idrizaj

Dizajni: Elvira Thaqi

 

Përmbajtja e këtij publikimi mund të përdoret dhe kopjohet lirshëm për qëllime edukative dhe qëllime tjera jokomerciale, me kusht që riprodhimi të shoqërohet me njohjen e Institutit Sekhmet si burim. 

​

Të gjitha të drejtat e rezervuara

© Instituti Sekhmet 2024

​

bottom of page